Panine (pre-gels)

Panine (pre-gels)

Një ndër kënaqësitë e mia të mëdha është dhe bërja e bukës vetë në shtëpi. Ky pasion lindi para 10 vitesh gati kur im atë më dhuroi 1 makinë bërëse buke. 5 bukët e para (ok, e pranoj, 10 bukët e para 😅) ishin një dështim total, ose nuk fryheshin, ose nuk piqeshin mirë, ose më dilte e thatë etj etj… Si përfundim ia mora dorën dhe ende tani në 90% të kohës ne konsumojmë bukë të bërë në shtëpi. Në fakt nuk është ndonjë shkencë e madhe, thjesht hidh përbërësit në koshin e makinës dhe ajo e bën vetë punën, biles edhe në orën që do ti. Nejse që mos ngjajë sikur po i bëj reklamë makinës së bukës pasi nuk është ky qëllimi, po nxjerr 1 recetë paninesh ose pre-gels i kam quajtur unë pasi janë një përzierje midis pretzels & bagels.Gjithashtu janë fantastike për ti bërë sanduiç për fëmijët për ti marrë me vete në shkollë.

PËRBËRËSIT

Për brumin:

  • 2 kupa ujë të vakët
  • 2 1/2 lugë çaji maja pluhur
  • 2 lugë çaji sheqer
  • 1 1/2 lugë çaji kripë
  • 6 kupa miell të bardhë
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri

Për zierjen:

  • 3 lugë çaji sodë buke
  • 3 lugë çaji sheqer
  • 3 litra ujë të nxehtë

Masat per kupat dhe lugët e matjeve I gjeni këtu

Sasia: 9 panine mesatare

Koha totale: 2 orë

  1. Ngrohim furrën në 220° C. Në një tas të madh hedhim miellin, ujin e ngrohtë dhe të gjithë përbërësit e tjerë sipas listës. E punojmë brumin me dorë ose me mikser për gati 10 min deri sa të bëhet elastik dhe të shkëputet nga anët e tasit. E lyejmë tasin fare pak me vaj dhe lyejmë brumin me kujdes.
  2.  E mbulojmë me një picetë ose qese transparente dhe e lemë të vijë brumi për gati 1 orë.
  3. Pasi të jetë dyfishuar, e godasim me një grusht të mirë në mes që ti nxjerrim ajrin e krijuar. Pastaj e ndajmë në 9 copa të barabarta. Me ndihmën e gishtit të madh dhe atij tregues i hapim një vrimë ne mes dhe me kujdes i japim brumit një formë unaze. E përsërisim këtë gjë me të 8 topthat e tjerë.
  4. Ndërkohë në një tenxhere të madhe hedhim ujin e nxehtë, sodën dhe sheqerin dhe i lemë të vlojnë. Pasi të ketë vluar uji hedhim paninet 3 e nga 3 duke i lënë të vlojnë për 1 min (në mes të kohës sigurohemi ti kthejmë paninet nga ana tjetër) i heqim me një lugë me vrima duke ia kulluar sa më mirë ujin dhe i vendosim në një tepsi të veshur me letër pjekjeje. Përsipër mund ti hidhni fara lulëkuqeje ose susami ose thjesht kripë të trashë.
  5.  I pjekim në furrë për gati 25min ose deri sa të kenë marrë një ngjyrë kafe të artë.



Këtë e pëlqejnë %d blogues: