charset="UTF-8" /> Si të përgatitemi për një event katering -

Si të përgatitemi për një event katering

Si të përgatitemi për një event katering

Zakonisht kur jam e ftuar në ndonjë festë ditëlindje, event përurimi, trajnim etj, mendja më shkon tek ushqimi, të cilin e di që do të jetë I ofruar në formë kateringu. Mezi pres të shoh fantazinë dhe shumëllojshmërinë e ushqimeve të servirura në tavolinë. Më pëlqen më shumë kjo lloj servirjeje ushqimi sesa ulja në tavolinë dhe secili me pjatën e tij.

Eventi im I parë katering që kam bërë (flas për një numër të madh pjesëmarrësish) ka qenë eventi I TEDx Tirana ku mu desh të gatuaja për mbi 300 të ftuar.

Duke qënë se kam patur kërkesa nga disa shoqe të miat mbi disa receta kateringu, sot vendosa të ndaj me ju disa këshilla se si të përgatitemi për një event katering dhe në një postim tjetër recetat e ushqimeve që përgatita për eventin.

KËSHILLA:

Më e rëndësishmja është të blini një fletore ku të shkruani:

  1. Numrin e pjesëmarrësve.
  2. Sa të rritur e sa fëmijë (mirë do ishte edhe sa femra e sa meshkuj pasi oreksin nuk e kanë të njëjtë).
  3. Nëse keni pjesëmarrës që kanë preferenca të ndryshme për ushqimet (psh: vegjetarianë, veganë, me alergji ushqimore, shoqe shtatëzëna etj..)
  4. Sa gatime të ëmbla e sa të kripura do të bëni.
  5. Orarin e festës (nëse është drekë osë darkë duhet të gatuani sasi më të mëdha sesa do gatuanit nëse eventi do të ishte ne fashën orare 17:00-19:00).
  6. Produktet që ju duhet të blini në avancë.
  7. Sa hapësirë do të keni në shtëpi ku të ruani ushqimet e gatuara (frigorifer, dollap, kuti etj..)
  8. Transporti I ushqimeve ( llogarisni sesi do të transportoni ushqimet në vendin ku do të organizohet festa)

Pasi të keni hedhur në letër të gjitha parapërgatitjet, filloni me bërjen e pazarit minimalisht 1 javë përpara.

Boshatisni ose hapni sa më shumë vend në frigoriferin tuaj ku do të vendosni gatimet të cilat duhet të ruhen në vend të freskët. Disa gatime mund të përgatiten edhe 2-3 ditë në avancë e të ruhen në frigorifer apo kuti të mbyllura hermetikisht.

Kujdesuni të keni servis mjaftueshëm për të gjithë pjesëmarrësit, pra :

  1. Pjata plastike ose letre
  2. Pirunj, lugë të vogla, kunja dhëmbësh
  3. Gota plastike ose letre për lëngjet
  4. Gota të vogla servirjeje ku mund të vendosni salca të ndryshme ose kremëra të ëmbla (mundësisht një përdorimshe)
  5. Kartëpiceta
  6. Qese për mbeturinat
  7. Mbulesa tavoline

Jini të vëmëndshëm që të përgatisni disa ushqime rezervë që ti nxirrni në momentin kur tavolina boshatiset më shpejt sesa e kishit planifikuar.

Frymëzuar nga The kitchn

PS: recetat e mia të ushqimeve të përgatitura në eventin e TEDx Tirana do të publikohen në një post tjetër ☺.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *