Shpretka të mbushura me oriz dhe erëza

Shpretka të mbushura me oriz dhe erëza

Që herën e parë që kam provuar shpretkat e mbushura nuk kam ndaluar së tentuari ti bëj edhe në shtëpi. Ishte dashuri me shijim të parë sigurisht. Ama nuk ka qënë e thjeshtë ta ribëje në shtëpi këtë pjatë unike, pasi shpesh herë kam dështuar. Disa herë shpretka nuk gatuhej mirë dhe dilte e fortë, herë të tjera mbushja nuk më dilte siç duhej, por kësaj rradhe them se gjeta recetën e duhur dhe ndaj vendosa ta ndaj edhe me ju. Fëmijëve nuk ua mbushi syrin, perveç tim biri I cili e provoi një kafshatë, por nuk I shijoi. Sigurisht, kush është ai fëmijë që e shijon shpretkën që me herën e parë ☺, ama ne të rriturit përpimë çdo kafshatë.

Sasia: 4 persona

Koha totale: 15 minuta + 35 minuta pjekje

PËRBËRËSIT:

  • 2 shpretka viçi të ndara në gjysëm
  •  2 lugë gjelle vaj ulliri
  •  ¼ kupë oriz kokërr vogël
  •  3 qepë të njoma të prera hollë
  • 1 tufë mente ( nenexhik/mëndërz)
  • 1 tufë kopër
  • ¼ lugë çaji piper i zi
  • 1 lugë çaji kripë ose më shumë sipas dëshirës
  • 1 ½ kupë ujë

Masat per kupat dhe lugët e matjeve I gjeni këtu:

  1. Fusni majën e thikës me kujdes në mesin e shpretkës (aty ku e keni ndarë në gjysëm) dhe krijoni një boshllëk ku do fusni mbushjen. Mundohuni ta zgjeroni me ndihmën e gishtave në mënyrë që të mos dëmtoni shpretkën nga jashtë.
  2. Ngrohni furrën në 250 ◦C
  3. Hidhni vajin e ullirit në tigan dhe fërgoni qepët e njoma për gati 2 minuta.
  4. Shtoni orizin, erëzat, piperin, kripën dhe vazhdoni ti fërgoni edhe per gati 5 minuta të tjera duke trazuar vazhdimisht.
  5. Shtoni ½ kupë ujë dhe lereni të vlojë në temperaturë të ulët deri sa uji të jetë përthithur pothuaj plotësisht.
  6. Me ndihmën e një luge çaji mbushni shpretkat duke lënë 1 cm bosh në mënyrë që ti mbyllni me ndihmën e një kruajtëse dhëmbësh.
  7. Sistemojini mirë shpretkat në tavë dhe anash shtoni orizin e mbetur nga mbushja duke u kujdesur të mbushni hapësirat midis shpretkave.
  8. Shtoni 1 kupë ujë, mbulojeni tepsinë me letër alumini dhe vendoseni në furrën e parangrohur për 35 minuta ose derisa uji të jetë përthithur plotësisht
  9. Pas pjekjes, priteni me kujdes shpretkën dhe sistemojeni bukur në pjatën e servirjes.
  10. Shërbejeni sa është ende e ngrohtë.

Related Posts

Patate të mbushura me fasule dhe pançetë

Patate të mbushura me fasule dhe pançetë

Ndodh ndonjëherë që në shtëpi nuk kam mjaftueshëm përbërës për të gatuar një drekë të mirëfilltë, zakonisht afër fundit të muajit, kur afron data e pazareve 😂. Megjithatë, me pak fantazi dhe pak përbërës kyç të dielën arrita të sajoj një drekë të shpejtë dhe […]

Pulë me petë

Pulë me petë

Sado që më pëlqen të gatuaj pjata nga të gjitha vendet e botës, kur vjen puna te gatimet tradicionale, ato me të cilat jam rritur, më kap një entuziazëm i paparë. Sigurisht që edhe pse e marr recetën nga mami gatimi im nuk del kurrë […]



Këtë e pëlqejnë %d blogues: