Papare – Një pjatë e ëmbël me bukë të ftohtë

Papare – Një pjatë e ëmbël me bukë të ftohtë

Disa ditë më parë po bisedonim me fëmijët mbi ushqimin, më mirë të them ata na pyesnin se si ushqeheshim ne në fëmijëri.

Im shoq filloi ti shpjegonte me fjalë të thjeshta se si ishte rregjimi komunist, sesi ushqimi mungonte, kryesisht bylmeti, mishi vezët, se sa vështirësni hasnin prindërit për të ushqyer fëmijët e kështu me rradhë.

Pasi dëgjoi vëmendje im bir tha (dhe këtë duhet ta ndaj me ju patjetër) – “Domethënë ju të gjithë shtireshit sikur jetonit??”

Epo, nëse duhet ta përmbledhim me një fjali, po, të gjithë shtireshin sikur jetonin.

Gjithsesi, fillova ti përshkruaja tim biri atë që bënte mami im, të gjitha mamat në atë kohë, që asnjë gjë nuk hidhej poshtë. Për shembull, buka e ndenjur nuk hidhej, por riciklohej në një gatim tjetër si psh Paparja (ose Bukëvale siç i thonin në një qytet tjetër). Bëhej me vaj luledielli (epo mungonte bylmeti? S’kishte gjalpë) dhe sheqer, ose varianti i kripur me djathë të bardhë. Ky version më pëlqente më shumë dhe gjyshja nga babi e quante Supa, nuk e di pse. Ishte një pjatë e thjeshtë që ne e konsumonim ose për mëngjes osë për darkë, por mbi të gjitha na ngopte.

Sasia: 4 persona

Koha totale: 20 minuta

PËRBËRËSIT:

  • 500-600 gr bukë e ndenjur, mundësisht e zezë
  • ¼ kupë sheqer
  • 3 lugë gjelle ujë
  • 4 lugë gjelle vaj luledielli ( ose mund të përdorni gjalpë ose vaj ulliri)

 

  1. Në rradhë të parë thërrmoni bukën, lerjani fëmijëve këtë se e qajnë si proces ☺
  2. Merrni nje tigan te sheshtë dhe ngrohni pak vaj.
  3. Shtoni bukën e thërrmuar, sheqerin dhe ujin. Trazojeni mirë derisa sheqeri të jetë bashkuar mirë me bukën. Ulni zjarrin dhe vazhdoni ta trazoni me lugë druri.
  4. Me kurrizin e lugës, ngjesheni mirë bukën dhe lereni që fundi të karamelizohet paksa për gati 1 ose 2 minuta.
  5. Fikeni zjarrin dhe lereni tiganin të ftohet disi. Kini kujdes kur të hani lugën e parë se mos digjeni nga sheqeri i karamelizuar☺

Në versionin e kripur përdoret djathi në vend të sheqerit dhe gjyshja ime përdorte pak nga shëllira e djathit për ta zbutur bukën dhe për ta kriposur në të njëjtën kohë.

 


Related Posts

Biskota me Piper të zi

Biskota me Piper të zi

Shpesh herë darkave në familje na shkon mendja për të ngacmuar gjëra të vogla, tip brusketa me mbushje të ndryshme apo ndonjë tip biskote të kripur të shoqëruar me pak djathë apo proshuta të ndryshme. Kjo ndodh kur ka ndonjë ndeshje futbolli apo ndonjë film […]

Patate të mbushura me fasule dhe pançetë

Patate të mbushura me fasule dhe pançetë

Ndodh ndonjëherë që në shtëpi nuk kam mjaftueshëm përbërës për të gatuar një drekë të mirëfilltë, zakonisht afër fundit të muajit, kur afron data e pazareve 😂. Megjithatë, me pak fantazi dhe pak përbërës kyç të dielën arrita të sajoj një drekë të shpejtë dhe […]



Këtë e pëlqejnë %d blogues: