Pulë me petë

Pulë me petë

Sado që më pëlqen të gatuaj pjata nga të gjitha vendet e botës, kur vjen puna te gatimet tradicionale, ato me të cilat jam rritur, më kap një entuziazëm i paparë. Sigurisht që edhe pse e marr recetën nga mami gatimi im nuk del kurrë si nga dora e saj dhe kam hequr dorë të gënjej veten time apo të tjerët që ia kam dalë ta bëj si mami. Besoj se kjo u ndodh të gjithëve ndaj nuk ndihem keq ☺.

Receta e mëposhtme është një gatim tradicional korçar, por e gjen edhe në krahina të ndryshme, thjesht ndryshon teknika e gatimit dhe emri. Në këtë recetë unë kam përdorur peta byreku gjysëm të gatshme, nga ato që janë gjysëm të pjekura dhe të palosura ( jo nga ato që janë në pako stërgjatëshe) thjesht sepse përtoja të hapja petë ☺ megjithatë gatimi arrin maksimumin e shijes kur petët janë të bëra në shtëpi. Ndaj nëse keni kohë dhe dini si të hapni petë ju këshilloj që ti bëni vetë.

Sasia: për 4 persona

Koha totale: 1 orë

PËRBËRËSIT:

  • 1   pako me peta të gatshme byreku gjysëm të pjekura ose afërsisht 10 peta te përgatitura vetë*
  • 1 pulë mesatare
  • 200gr gjalpë
  • kripë

*(receta më poshtë)

Nëse petat do ti përgatisni vetë

  • 3 kupa miell (dhe pak më shumë për spërkatje gjatë hapjes së petave)
  • 1 kupë ujë të vakët ose më shumë në varësi të miellit
  • 1 lugë kafe kripë
  1. Në fillim përgatisni petët nëse vendosni ti bëni vetë. Vendosni miellin mbi banak, hapni një vrimë në mes të tij, shtoni kripën dhe hidhni gradualisht ujin. Në fillim hidhni 3/4 kupë ujë punojeni me duar deri sa të bëhet një masë elastike dhe jo shumë e ngurtë. Shtoni më shumë ujë nëse brumi nuk arrin elasticitetin e duhur. Vendoseni në një enë, mbulojeni më një pecetë të lagur dhe lereni të pushojë për gati 30 minuta.
  2. Pasi të ketë kaluar koha e nevojshme ndajeni brumin në toptha të vegjel sa një kokërr kajsi. Merrni njërin topth (të tjerat mbulojini me pecetë të lagur që mos thahen) spërkatni banakun me miell dhe hapeni sa më të hollë që të mundeni. Mos u shqetësoni për formën rrumbullake ose madhësinë pasi në fund petat do të copëtohen në forma të çrregullta. Përsëritni të njëjtin proces deri sa ti mbaroni të gjithë topthat. Petët e hapura vendosini në një tepsi rrumbullake duke i ndarë nga njëra tjetra ose me piceta ose me letër pjekjeje që mos ngjitin.
  3. Ngrohni një tigan të sheshtë, merrni një petë dhe paloseni ne katërsh. Piqeni petën nga të dyja anët derisa të vëreni pikëza të vogla të zeza si në figurë. Ky hap është i njëjtë edhe për petat e gatshme.
  4. Petët e pjekura vendosini në një enë dhe mbulojini me picetë që të rrinë të buta.
  5. Prisni pulën në copa nga të cilat qafën dhe një të trashë kofshe vendoseni në një tenxhere me 4 kupa ujë për ta zier. Pjesët e tjera vendosini në një tavë dhe piqini në furrë deri sa lëkura të bëhet kërce dhe pula të jetë pjekur. Lëngun pas pjekjes mbjeni mënjanë pasi do ia hedhim petave përsipër.
  6. Pasi lëngu i pulës të jetë gati, tretni gjalpin në një tigan dhe fillojmë me përgatitjen e tavës.
  7. Hidhni pak gjalpë në tepsi dhe shtroni një petë, më të madhen që keni që të mbulojë tavën. Spërkatni pak gjalpë sipër.
  8. Merrni një petë tjetër dhe copëtojeni me duar në copëza mesatare. Spërkasni sipër pak gjalpë dhe hidhnipak lëng pule sipër që të njomen petat, por jo shumë pasi shtresë pas shtrese lëngu do kullojë në fund dhe petat rrezikojnë të squllen. Përsërisni këtë process deri në mbarim të gjithë petave. Sigurohuni ti trazoni me duar petat në mënyrë që të njomen njëtrajtësisht.
  9. Spërkatni pak gjalpë sipër bashkë me lëngun nga pjekja e pulës, vendosni copat e pulës që keni zier dhe piqeni ne 250◦C deri sa petat ta kenë pirë mirë lëngun dhe vende vende të kenë marrë ngjyrë kafe të errët si në foto.

Tava këshillohet të hahet e ngrohtë dhe mundësisht me duar ☺

 


Related Posts

Pasta sy -sipas variantit tim.

Pasta sy -sipas variantit tim.

Një ndër ëmbëlsirat që kam patur qejf kur kam qenë e vogël (dhe vazhdoj ti kem qejf ende)  kanë qënë pasta sy, ose të paktën kështu ia di emrin unë. Në tentativë e sipër për ti bërë vetë në shtëpi, krijova këtë recetë (them krijova […]

Çomlek me mish viçi dhe qepujka në tavë dheu

Çomlek me mish viçi dhe qepujka në tavë dheu

A e keni tentuar ndonjëherë çomlekun në tave dheu? Ose më mirë në vorbë? Nëse akoma jo, ndoshta ky është momenti. E vetmja gjë që është e bezdisshme këtu është qërimi i qepujkave, por besomëni, ia vlen çdo pikë loti e derdhur sapo ta shijoni […]



Këtë e pëlqejnë %d blogues: