“Lëkurë” frutash

Titulli tingëllon pak çuditshëm në shqip, por ama në shije është fantastike. Për herë të parë këtë recetë e kam parë tek Weelicious nga Catherine McCord e cila për mua ka qënë dhe do të mbetet frymëzim, për nga mënyra e shëndetshme e të ushqyerit dhe të ideve të këndshme që ajo ka për ushqimin e kalamajve për në shkollë. Në ka ndonjë gjë që e kam fiksim fare është pikërisht kjo e fundit, marrja e ushqimit me vete në shkollë, mgjt për këtë të fundit do shkruaj pak më gjatë më vonë, kur të jemi gati për vitin e ri shkollor meqë ky aktuali përfundoi ( o Zot shyqyr 😂😂)

Pra, siç po shkruaja më lart, tani që jemi në sezonin e frutave, një alternativë për ti bërë kalamajtë (nga 1-99 vjeç)  të konsumojnë fruta, është dhe kjo recetë (ang. Fruit leather).

Për këtë recetë mund të përdorni thuajse gjithë llojet e frutave përveç shalqiut, pjeprit e ndonjë fruti tjetër që për momentin nuk po më kujtohet, që duke pasur shumë ujë në përbërje, nuk mund të thahen mirë në furrë.

 Sasia: 6-8 role mesatare ose 10-12 të vogla

Koha totale: 4.5- 5 orë

PËRBËRËSIT:

  • 700gr kajsi dhe pjeshkë miks
  • ½ kupë mjaltë (ose më shumë në bazë të thartësisë së frutave)

Masat per kupat dhe lugët e matjeve I gjeni këtu:

  1. Ngrohim furrën në 90◦C ( mundësisht opsionin me ventilator)
  2. Në gotën e mikserit që përdoret për smoothie (frulator –përshtatje nga italishtja se në shqip nuk gjej dot fjalën e saktë), hedhim frutat e prera trashë dhe mjaltin. I miksojmë deri sa të behët një masë kremoze homogjene.
  3. Veshim një tepsi të sheshtë me letër pjekjeje dhe hedhim kremin e frutave. Këtu duhet të kemi shumë kujdes, shtesa e kremit duhet të jetë shumë e hollë. Nëse e shihni që shtresa ështe e trashë, hiqni një pjesë te kremit dhe vendoseni në një tepsi tjetër. (Sa më e trashë shtresa aq më shumë kohë nevojitet për tharjen e saj)
  4. E përplasim tepsinë (tepsitë) disa herë mbi banak në mënyrë që kremi të shpërndahet sa më njëtrajtshëm.
  5. E fusim në furrë dhe e lëmë të thahet për gati 4-5 orë ose deri sa kur ta prekim me majën e gishtit, të mos na ngjitet në gisht.
  6. E fikim sobën dhe e lëmë tepsinë brenda deri sa të ftohet mirë.
  7. Më pas me ndihmën e një gërshëre, e presim në shirita (së bashku me letrën e pjekjes) të madhësive të ndryshme. I rrotullojmë (letra e pjekjes të jetë nga jashtë), I lidhim me spango një e nga një dhe I ruajmë në një enë qelqi për ti ngrënë ose kur dalim shëtijte, ose për tua dhënë fëmijëve me vete në shkollë/kopësht/shëtitje etj…

Kombinime të ndryshme mund të bëni psh: mollë-mjaltë-kanellë, banane-mjaltë-luleshtrydhe, pjeshkë-mjaltë-luleshtrydhe, pjeshkë-mjaltë , mjedër-mjaltë-banane, kivi-mjaltë-luleshtrydhe etj etj …

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Discover more from Bake My Day Happy

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading