Brinjë Gici Barbeky

Brinjë Gici Barbeky

Kur afron pranvera/vera, dita zgjat më shumë, koha mban më mirë (në fakt këtë vit na treti shiu, po nejse) dhe ideja e të shkuarit për piknik apo ndezja e zgarës në oborrin e shtëpisë apo diku tjetër sa vjen e bëhet më tunduese.

Për ata si puna ime, që edhe pse me dëshirën më të mirë për të nxjerrë zgarën e për ta vënë në punë, përtojnë, receta që do ndaj me ju mund të përgatitet fare lehtë edhe në furrë. Për të qënë më e sinqertë, unë në furrë e kam bërë, por nëse dëshironi ta tentoni në zgarë, mbani në mendje këto këshilla:

  1. Duhet që zgara të ketë kapak ( në mënyrë që mishi të mos thahet)
  2. Zjarri nuk duhet të jetë shumë I fortë, ose mishi duhet të piqet në një lartësi te konsiderueshme pasi ka nevojë të piqet ngadalë dhe në temperaturë të ulët (pra Low & Slow).
  3. Koha e pjekjes do të jetë më e shkurtër sigurisht, rreth 2.5-3 orë mesatarisht në varësi të zjarrit.

Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që të merrni kohën e nevojshme për ta përgatitur siç duhet, pasi marinimi I mishit kërkon 12orë. Psh: mund ta marinoni të premten në darkë dhe ta keni gati për të shtunën në drekë. Marinimi bëhet me erëza të thata dhe kjo jo vetëm për të marrë më shume shije, por edhe që të mund ta mbajë salcën barbeky gjatë pjekjes.

Sasia: 4-6 persona

Koha totale: 5 orë + 12 orë marinim

PËRBËRËSIT:

  • 1 kg brinjë gici ( sipas dëshirës mund ta zëvëndësoni me viç)

Për marinimin:

  • 3 lugë gjelle (Tbsp.) pluhur speci jo djegës
  • 2 lugë çaji (tsp.) kripë
  • 2 lugë çaji (tsp.) rigon
  • 2 lugë çaji (tsp.) pluhur qepe
  • 2 lugë çaji (tsp.) pluhur hudhre

SHËNIM: 12 orë përpara pjekjes, bashkoni në një tas të vogël erëzat e mësipërme dhe marinoni mishin duke e lyer me  kujdes nga të gjitha anët. Lereni mishin në frigorifer (jo ngrirje) të mbuluar me qese transparente për 12 orë.

Për salcën Barbeky:

  • 3 lugë gjelle (Tbsp.) vaj
  • 1 qepë e vogël e prerë në kuba
  • 2cm xhenxhefil i freskët i grirë në rende
  • 3 thelpinj hudhër të grirë
  • 2 lugë çaji (tsp.) mustardë nga ajo me kokrriza
  • 3 lugë çaji (tsp.) pluhur speci jo djegës
  • 2 lugë çaji (tsp.) kumin pluhur
  • 2 lugë çaji (tsp.) rigon
  • 1/3 kupë  salcë sojë
  • 1/4 kupë mjaltë
  • 1/4 kupë ketchup
  • 1/4 kupë uthull molle
  • 1 deri në 2 lugë çaji (tsp.) kripë

Masat per kupat dhe lugët e matjeve I gjeni këtu:

  1. Në një tigan të thellë të vogël, ngrohni vajin dhe hidhni në të qepën, xhenxhefilin & hudhrat e grira dhe skuqini në zjarr të ulët per 2-3 minuta duke I trazuar vazhdimisht derisa qepa të jetë zbutur.
  2. Shtoni më pas kuminin, pluhurin e specit, rigonin, trazojini per pak sekonda dhe me pas hidhni të gjithë përbërësit e tjerë me rradhë.
  3. Lereni salcën të ziejë në zjarr të ulët per gati 5-10 minuta duke e trazuar herë pas here që të mos na ngjisë. Nëse ju duket shume e ëmbël, shtoni pak uthull molle dhe kripë ( por pak e nga pak)
  4. Ndërkohë ndizni furrën në 160ºC
  5. Pasi salca të jetë gati, nxirrni mishin nga frigoriferi dhe me ndihmën e një furçe sigurohuni ta lyeni nga të gjitha anët.
  6. Vendosni mishin sipër një zgare (si në foto), mbulojeni gjithë tavën me letër alumini dhe futeni në furrë ne nivelin e mesit të piqet për 4 orë (Për mos tu mërzitur, mund edhe të dilni të bëni ndonjë xhiro pas këtij momenti pasi jua siguroj, që mishi nuk do digjet)
  7. 60 minutat e fundit, hiqni letrën e aluminit, lyejeni sërisht me salcë , rrisni temperaturën e furrës në 240ºC dhe lereni të theket mire (duke e kthyer nga ana tjetër për 30 minutat e fundit dhe duke e lyer sërisht me salcë)
  8. Pasi të ketë kaluar koha e nevojshme, hiqeni mishin dhe lereni të pushojë për gati 20 minuta para se ta prisni.

Shoqërojeni mishin me patate të pjekura në furrë, sallatë dhe panine të bëra vetë në shtëpi. Nëse ju ka tepruar salcë, futeni në një enë dhe vendoseni në ngrirje. Duhet të mbani diçka në mendje, NUK HIDHET KURRË ASGJË!

PS: Recetën e panineve në foto (nëse do arrini ti dalloni) do ta gjeni  në blog në postimet e rradhës


Related Posts

Patate të mbushura me fasule dhe pançetë

Patate të mbushura me fasule dhe pançetë

Ndodh ndonjëherë që në shtëpi nuk kam mjaftueshëm përbërës për të gatuar një drekë të mirëfilltë, zakonisht afër fundit të muajit, kur afron data e pazareve 😂. Megjithatë, me pak fantazi dhe pak përbërës kyç të dielën arrita të sajoj një drekë të shpejtë dhe […]

Mini kek të kripur me spec të kuq dhe paté ulliri

Mini kek të kripur me spec të kuq dhe paté ulliri

Mini kekët e kripur janë një ide e shkëlqyer për t’u servirur në tavolinë. Një kombinim fantastik i specit të kuq të pjekur dhe djathit kaçkavall. Në eventin e TEDx këto mini kekë unë i servira në dy mënyra: 1. Versioni me paté ulliri 2. […]



Këtë e pëlqejnë %d blogues: