Tartë me Qershi

Kjo është një nga ato recetat bazike fare që gjen kudo në internet. Sekreti qëndron tek brumi i cili duhet të bëhet krokant por në të njëjtën kohë të mos thërrmohet.

Unë kam tentuar pafundësi recetash dhe asnjëherë nuk kam qëlluar në shenjë. Disa herë brumi më ka dalë shumë brumë (i squllur gjatë pjekjes) ose shumë i thatë dhe është thërrmuar gjatë prerjes etj etj…

Si për ironi të fatit, në pushimet e vitit të ri kur ishim në NY bleva një tavë për tarta (do thoni ju sa e çmendur, edhe tava more në avion? Epo, po, jam aq e çmendur 😂😂)

Tava kishte të shkruar në të recetën klasike të tartës me mollë, e famshmja Apple pie. Pasi e tentova fiks sipas recetës, kuptova që kjo ishte receta ideale.

Tani për tu rikthyer tek receta bazike e qershisë, në vijim gjeni metodën e përgatitjes së tartës.

Sasia: 12 racione

Koha totale: 1 orë e 15 minuta

PËRBËRËSIT:

Mbushja me qershi:

  • 600gr qershi të freskëta mundësisht vishnje
  • 3 lugë gjelle (Tbsp.) Sheqer
  • 1 flakon esencë bajame
  • 1 lugë çaji (tsp.) niseshte

Brumi:

  • 2 kupa miell
  • 175gr gjalpë i ftohtë
  • 1 lugë çaji kripë
  • 2-3 lugë gjelle ujë të ftohtë
  1. Fillimisht qershive u heqim bërthamat. Nëse nuk keni nga ato mjetet apostafat për heqjen e bërthamave, përdorni një pipëz të trashë (nga ato që përdoren për smoothie), ushtroni presion tek vendi ku ka qenë bishti dhe duke e shtyrë me kujdes pipëzën, do e shihni që bërthama do dalë shumë lehtë.
  2. Vendosni qershitë në një tenxhere të vogël, shtoni sheqerin, aromën e bajameve dhe lerini në zjarr të ulët për gati 15 min sa sheqeri të jetë tretur mirë dhe qershitë të kenë lëshuar pak lëng.
  3. Në një filxhan tresni niseshten në 1 lugë ujë të ftohtë dhe shtojani qershive. Lerini të vlojnë dhe për 1 minutë maksimumi.
  4. Hiqini nga zjarri dhe lerini të ftohen.
  5. Në një mixer të pajisur me thika, hidhni miellin, gjalpin, kripën dhe shtypni miksetin me ndales deri sa mielli të jetë bërë me kokrriza sa një kokërr bizele. Hidhni ujë, nga një lugë me rradhë deri sa brumi të lidhet dhe të bëhet si top në mikser. (Kujdes! Nuk duhet miksuar shumë pasi na tretet gjalpi.
  6. E ndajmë në 2 pjesë, e mbështjellim  me qese transparente dhe i lëmë të pushojnë në frigorifer për 30 minuta.
  7. Pasi të kenë kaluar 20 minuta, ndezim furrën në 200° C që të parangrohet.
  8. Kur 30 minutat të kenë kaluar, nxjerrim brumin dhe e hapim me okllai (paraprakisht brumi duhet spërkatur me miell) në një diametër 30 cm. E shtrojmë sipër një tave të sheshtë për tarta me diametër 20cm. Hedhim brenda mbushjen e qershisë.
  9. Hapim petën tjetër dhe ia vendosim tartës sipër dhe bëni një prerje kryq me thikë në mes të brumit,ose prisni disa forma me prerëse biskotash si në foto.
  10. Piqeni tartën në furrë për gati 40 minuta ose deri sa cepat e brumit të kenë marrë ngjyrë të lehtë kafe.
  11. Lereni tartën të ftohet mirë përpara servirjes.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Discover more from Bake My Day Happy

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading