Petulla në Plloçë

Petulla në Plloçë

Këtë kohë më paska kapur nostalgjia e gatimeve të fëmijërisë. Kjo recetë është veçanërisht e dashur për mua pasi është një nga gatimet që bënte gjyshja ime. Sot shumë njerëz i njohin me emrin petulla të fshira, por në shtëpinë tonë i quanim (dhe vazhdojmë t’i quajmë) petulla në plloçë. Ky lloj varianti petullash tigani është një version i crepè-ve vetëm se gatuhen pa vezë dhe pa qumësht. Secila familje ka versionin e saj,por kjo që po ndaj unë është versioni i gjyshes time.

Si çdo recetë familjare edhe kjo nuk ka masa ekzakte mgjt deri diku  i kam arritur rezultatet e versionit origjinal 😀.

Sasia: për 4 persona

Koha totale: 30-40 min

PËRBËRËSIT:

Për brumin

  • 1 3/4 kupë ujë
  • 1 1/4 kupë miell
  • 1 lugë çaji (tsp) kripë
  • 1 lugë gjelle gjalpë të shkrirë

Për salcën:

  • 100gr gjalpë
  • 4 -5 thelpinj hudhër
  • 100 gr djathë të bardhë (për tua hedhur sipër)
  • 1/4 kupë ujë
  1. Fillimisht përgatisim brumin. Hedhim gjithë përbërësit e brumit në një tas qelqi dhe i trazojmë mirë. E lemë të pushojë rreth 15 min. Brumi nuk duhet të dalë shumë i hollë ndaj me sy shikoni nëse ka nevojë për më shumë miell apo ujë (kjo në varësi të miellit që përdorni)
  2. Ndërkohë që presim brumin, qërojmë dhe presim në feta hudhrën (ose për ata që nuk e duan në copëza të mëdha mund ta grini në rende).
  3. Pasi të ketë kaluar koha e nevojshme, ngrohim një tigan të sheshtë që nuk ngjit (ose të lyer me vaj) dhe me ndihmën e një garuzhdeje hedhim brumin mbi tigan duke e rrotulluar këtë të fundit që brumi të hapet më gjithë sipërfaqen e tiganit. E pjekim për  3 min në zjarr të ulët dhe e kthejmë nga ana tjetër duke e lënë të piqet dhe për 1 min tjetër.
  4. Pasi të jenë pjekur, i copëtojmë me dorë në pjesëza jo shumë të vogla ( psh një petë mund ta ndani në 3-4 copëza)
  5. Në një tigan tjetër shkrijmë gjalpin dhe shtojmë hudhrat. Kujdes! Gjalpi nuk duhet të marrë ngjyrë. Sapo të jetë tretur gjalpi shtojmë ujin dhe e rrahim shpejt me pirun që të bëhet një masë kremoze.
  6. I risistemojmë petëzat e pjekura në tigan dhe e vendosim në zjarr të ulët.  Shtojmë kremin e gjalpit sipër dhe i lemë petullat në zjarr deri sa të ngrohen njëtrajtësisht (max 4 minuta)
  7. Copëtojmë me duar djathin e bardhë dhe petullat në plloçë janë gati 😉.

Related Posts

Pulë me petë

Pulë me petë

Sado që më pëlqen të gatuaj pjata nga të gjitha vendet e botës, kur vjen puna te gatimet tradicionale, ato me të cilat jam rritur, më kap një entuziazëm i paparë. Sigurisht që edhe pse e marr recetën nga mami gatimi im nuk del kurrë […]

Pasta sy -sipas variantit tim.

Pasta sy -sipas variantit tim.

Një ndër ëmbëlsirat që kam patur qejf kur kam qenë e vogël (dhe vazhdoj ti kem qejf ende)  kanë qënë pasta sy, ose të paktën kështu ia di emrin unë. Në tentativë e sipër për ti bërë vetë në shtëpi, krijova këtë recetë (them krijova […]



Këtë e pëlqejnë %d blogues: