Minikekë me boronicë

Minikekë me boronicë

Gatimi për mua është anti-stres. Kur i futem gatimit harroj çdo gjë negative, biles herë pas here e kap veten edhe duke kënduar .

Një ndër ëmbëlsirat që ia kam marrë dorën pothuaj shkëlqyeshëm janë minikekët (cupcakes) dhe sidomos dekorimi i tyre. Rroftë ebay & amazon që kam blerë pafund xhingla dekorimi se në Tiranë është shumë e vështirë të gjesh ndonjë gjë që tia vlejë (përveç letrave të cupcakes që i gjen shumë mirë dhe lirë).

Gjithsesi, që mos të zgjatem, më poshtë po jap recetën e minikekëve që kam patur më shumë sukses në shtëpi dhe në punë. Recetën e kam përshtatur nga libri i Martha Stewart.

Sasia: 40 minikekë

Koha totale: 1 orë

PËRBËRËSIT:

Për minikekët:

  • 4 1/4 kupa miell
  • 1 1/2 kupa sheqer kaf
  • 3 tsp sodë buke
  • 1 1/2 tsp pluhur pjekje
  • 1 tsp kripë
  • 3/4 kupa vaj
  • 3 vezë +1 të verdhë veze
  • 2 kupa qumësht ku të keni shtuar 1 tsp lëng limoni
  • 1 1/4 kupa ujë të vakët
  • Pak vanilje
  • 1/2 kupa boronicë (e freskët ose e ngrirë)

Për kremin:

  • 250gr maskarpone
  • 150gr gjalpë në temp ambjenti
  • 1/2 kupa sheqer pluhur
  • Pak vanilje
  • Ngjyrues ushqimor (sipas dëshirës)

Masat per kupat dhe lugët e matjeve I gjeni këtu:

  1. Ngrohim furrën në 180 °. Nxjerrim tavat për minikekë dhe i veshim me letrat përkatëse.
  2. Në një tas të madh hedhim vezët, sheqerin, vajin, ujin, qumështin e përzier me limon dhe i trazojmë sa të bashkohen të gjitha (ky process zgjat rreth 2 min). Pastaj vendosim një sitë sipër tasit dhe hedhim miellin, sodën, pluhurin pjekës dhe i sitim sipër përzierjes së vezëve. Shtojmë kripën dhe i trazojmë sa mielli të bashkohet me lëngjet. Në fund shtojmë dhe boronicat të cilat i kemi spërkatur pak me miell dhe e trazojmë brumin me spatul silikoni që mos të dëmtohen frutat. Spërkatja me miell bën të mundur që frutat të mos zhyten në fund të brumit.
  3. Hedhim masën e brumit në tavë duke i mbushur deri në 3/4 të lartësisë dhe i pjekim për 30-40 min deri sa të marrin një ngjyrë kafe të çelët (Mund të shtoni edhe disa copëza të vogla çokollatash sipas dëshirës).
  4. Ndërkohë që kekët piqen, përgatisim kremin. Hedhim gjalpin e butë në tasin e mikserit dhe shtojmë sheqerin pluhur. I trazojmë deri sa gjalpi të marrë ngjyrë të verdhë të çelët dhe të jetë thuajse dyfishuar në volum. Shtojmë dhe maskarponen dhe i trazojmë deri sa të bashkohen mirë.
  5. Shtojmë ngjyrën (ose ngjyrat e preferuara nëse do përdorni më shumë se një), e hedhim kremin në qese pastiçerie dhe e lemë mënjanë.
  6. Pasi kekët të jenë ftohur mirë mund të vijojmë me dekorimin.

Në foto unë kam përdorur koka dekoruese me formë trëndafili gjë që e bëjnë dekorimin më të thjeshtë (për ata që kanë dëshirë ti blejnë i gjeni në ebay me emrin russian piping nozzels dhe ka pafundësi formash).



Këtë e pëlqejnë %d blogues: