Bonbone me maskarpone

Bonbone me maskarpone

Në një nga supermarketet te lagjja mora dy pako me mascarpone meqë ishin me 50% të çmimit (dmth ishin vetëm 5 ditë larg nga dt e skadencës.. se këtu te ne, kshu uljesh si për qejf janë hereziii….nejse).

Kur gjej nga këta artikuj që normalisht e kanë çmimin e lartë dhe bëhen me ulje, marr gjithmonë edhe pse nuk kam në plan të gatuaj gjë..ose thënë ndryshe gjej pretekst për të sajuar ndonjë gjë. Në fillim thashë po i fus një cheesecake meqë kam kohë pa bërë dhe me atë rast bleva dhe ca biskota digestive (-biskota me miell integral dhe që thërrmohen lehtë) që do më duheshin për bazën. Si përfundim, përtova të bëj cheesecake dhe bëra bonbone me mascarpone (rima ishte e pa qëllimshme 😂😂).

Sasia: ~ 10-12 toptha

Koha totale: 10min përgatitja + 1 orë ftohje në freezer.

PËRBËRËSIT:

Për bonbonet:

  • 250gr mascarpone
  • 1 lugë gjelle sheqer pluhur
  • 10 biskota digestive
  • Pak ekstrakt vanilje

Për veshjen:

  • 100gr çokollatë të zezë në copëza të vogla
  • 3 biskota digestive

Masat per kupat dhe lugët e matjeve I gjeni këtu

  1. Marrim një qese të vogël me zip (nuk e di përkthimin në shqip për këtë) ku fusim biskotat digestive.  E mbyllim qesen dhe me ndihmën e okllaisë i shtypim deri sa të bëhen pluhur.
  2. Në një tas qelqi hedhim maskarponen, sheqerin pluhur, vaniljen dhe pluhurin e biskotave e i trazojmë deri sa të bashkohen mirë të gjitha.
  3. Me ndihmën e një luge çaji, marrim pak nga masa dhe i japim formë rrumbullake në madhësinë e një arre. I vendosim gjithë topthat në një tavë me letër pjekje dhe tavën e harrojmë për 1 orë në ngrirje.
  4. Pas 1 ore: Në një tas të vogël qelqi hedhim çokollatën dhe e shkrijmë në banjo-mari. Pasi të jetë shkrirë mirë, shtojmë biskotat digestive të bëra pluhur sipas të njëjtës mënyrë si te pika 1.
  5. Nxjerrim bonbonet nga ngrirja dhe një nga një i lyejmë në brumin e çokollatës dhe më pas i rivendosim tek tava ku ishin.
  6. I lemë të ftohen në frigorifer (jo në ngrirje kësaj rradhe) për min. 1 orë dhe maksimumi deri sa mund ti rezistoni tundimit për ti ngrënë.

Këshillë: nëse ju duket e rënduar mund të mos ia hidhni çokollatës pluhurin e biskotave.


Related Posts

Corndogs – Salçiçe të veshura

Corndogs – Salçiçe të veshura

E mira e të ndjekurit të kanaleve të gatimit në TV  (tip 24Kitchen apo Food Network) bashkë me fëmijët, është që nëse atyre u kap syri ndonjë gjë në ekran që u pëlqen, nuk kalojnë as 2 sekonda nga pyetja : ” O ma, po […]

Ushqimi i drekës për në shkollë

Ushqimi i drekës për në shkollë

Shpesh na kap rutina dhe ndodh që fëmijëve t’u përgatisim vazhdimisht të njëjtin ushqim për ta marrë me vete në shkollë, si psh një tost të thjeshtë apo një sanduiç i ftohtë. E di, edhe mua më ndodh, por jap maksimumin tim që mos t’i […]